Kanceri i mushkërive, ‘vrasësi’ më i madh

Është e vetmja sëmundje që i është ndërruar vendi i klasifikimit nga entiteti (grupimi) mjekësor patologjik (vuajtje natyrore) në atë tragjik (fatal), sepse në 87-92% të rasteve, njeriu këtë sëmundje ia shkakton vetvetes duke pirë duhan.
Shkaktarë tjerë të paraqitjes së kësaj sëmundjeje janë: rrezatimi nga nëntoka e thellë, ndotja e ambientit (gazrat helmues), nafta dhe produktet e naftës, posaçërisht ato që inhalohen (thithen në mushkëri). Faktori gjenetik (trashëgimtar) poashtu ka rëndësi të madhe në paraqitjen e kësaj sëmundjeje fatale, si dhe gjendja psikike dhe imunitare e organizmit.
Problemi i parë në lidhje me kancerin në përgjithësi, si dhe kancerin e mushkërive është kohëzgjatja e madhe prej momentit kur fillojnë ndryshimet në qeliza dhe organizimi tumoral, gjer në momentin kur paraqiten simptomat e para.
Gjatë kësaj kohe mund të vjen gjer te metastazimi i qelizave malinje (përhapja në organe tjera: tru, eshtra, nyje limfatike etj.) dhe gjithsesi gjatë kësaj periudhe që ndonjëherë zgjatë me muaj, organizmi dëmtohet në mënyrë të pariparueshme (pa mundësi në kthimin e gjendjes së mëparshme).

Ky problem është i kushtëzuar nga natyra e sëmundjes, dhe në te për kohën e tanishme shumë pak mund të ndikohet me të arriturat shkencore e teknologjike mjekësore. Si i tillë ky problem, që nuk varet nga faktori njeri, ekziston në tërë botën.

Problemi i dytë, është poashtu kyç sepse, edhe koha prej se janë lajmëruar simptomat e para e gjer te kërkesa për ndihmën mjekësore, dhe rrjedhimisht diagnostikimi, shpesh është në mënyrë të paarsyeshme e gjatë dhe kjo varet nga kultura shëndetësore e pacientit dhe niveli i shërbimit shëndetësor.