Ia huq Agim Bahtiri, nuk e di sa shtete përbëjnë Këshillin e Sigurimit

Agim Bahtiri ia huqi sërish kur u pyet se prej sa shteteve përbëhet Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Këshilli i Sigurimit është një Këshill i cili prej Luftës së Dytë Botërore, është themeluar një Këshill prej Bashkësisë Ndërkombëtare që të bëhet siguria e të gjithë popujve që jetojnë në këtë vend”, tha Bahtiri në Klan Kosova.

Tha se Këshilli i Sigurimit përbëhet nga 7 anëtarë të përhershëm dhe 10 jo të përhershëm.

“Shtatë i ka të përhershëm dhe 10 janë me rotacion”, u përgjigj Bahtiri në pyetjen e kundërkandidates Valdete Idrizi, duke shkaktuar të qeshura në sallë.

Për informacion, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara përbehet prej 15 anëtarëve, 5 të përhershëm që vijnë nga shtetet fituese e krijuese të OKB, SHBA, Anglia, Franca, Rusia dhe Kina dhe 10 të tjerë jo të përhershëm dhe zgjidhen nga Asambleja me rotacion çdo 2 vite.

Valdete Idrizi e PDK’së dhe Bahtiri do të përballen në balotazhin e 19 nëntorit për kryetar të Mitrovicës.

Në zgjedhjet e 22 tetorit Valdete Idrizi mori 29,63% të votave kurse Agim Bahtiri 27,03% të votave.