Drama e shqiptares: Jam martuar me zezak, prindërit nuk e pranojnë, e vras veten nëse me ndajnë nga ai

Historia e një gruaje shqiptare, (foto lart është vetëm një foto ilustruese) të cilën prindërit nuk e pranojnë vetëm sepse krijoi familje me një djalë me ngjyrë, po ngjall komente tmerrësisht raciste.

“Tre mundësi ke: të varesh, të hidhesh ose ta djegësh veten me benzinë, përndryshe ka pas mjaft djem që jan ma të bukurit në planet. Turp, pa fytyrë, mjerë prindërit çfarë paskan rritur.”, shkruan një komentuese në faqen “Lajme” në Facebook.

Prej dy muajsh, nëna e një djali ka ardhur të jetojë në Shqipëri, e mbështetur nga bashkëshorti Henri, sepse nuk po e duronte dot shkëputjen nga prindërit. Henri e shtyu të përpiqej seriozisht të krijonte një urë komunikimi me ta, sepse e shikonte që gruaja e tij po vuante. Por ata nuk e pranojnë në asnjë lloj mënyre.

Gruaja tregon se kur shkoi për studime në Londër, njohu një djalë të qetë e të dashur, krejt e kundërta e vëllait të saj posesiv e kontrollues. Ajo tregon se i vëllai mund të lidhej me një vajzë që në moshën 15-vjeçare dhe ta çonte edhe në shtëpi, kurse ajo duhej të ruante “nderin e familjes”, të ishte “vajzë dinjitoze”.

Pas shumë vitesh si miq, ai i bëri pyetjen që kishte dashur t’i bënte prej vitesh: “Të bezdis ngjyra ime?”. Për t’i dhënë një përgjigje, ajo e kishte puthur. Ishte e dashuruar me të; ajo tregon se Henri është shumë parimor, i rritur në një familje besimtare. Ndaj edhe pas dy vitesh marrëdhënie, kur ajo mbeti shtatzënë dhe prindërit i kërkuan me ngulm të abortonte, ai as s’e çonte nëpër mend.

Ajo erdhi në Shqipëri për t’u treguar prindërve nipin e tyre me shpresën që dashuria prej gjyshërish do t’i zbuste. Por përkundrazi; kur panë se ai kishte trashëguar ngjyrën e Henrit, i thanë se s’kishin për ta pranuar kurrë.

“Çoje djalin ta rrisë i ati, dhe atëherë do të jesh vajza jonë.”

E dashuruar me Henrin dhe tani, plot dashuri prej nëne, gruaja shprehet se nuk mund të braktisë familjen që sapo ka krijuar. Prindërit e saj kanë frikë më së shumti se ç’do të thonë të tjerët, por ajo s’arrin ta kuptojë pse mendimi i të tjerëve duhet ta detyrojë të lërë atë që do më shumë, bashkëshortin dhe djalin që e solli vetë në jetë.

Megjithatë, opinionet e shqiptarëve, edhe pasi kanë lexuar rrëfimin e saj, vijojnë të jenë të mbushura me paragjykim dhe racizëm:

Mes qindra komenteve plot negativitet, ka edhe nga ata që e mbështesin zgjedhjen e saj si zgjedhjen e çdo njeriu të lirë, për të qenë në krah të dikujt që si ne, pavarësisht racës dhe ngjyrës, është njeri:

“EPO NË FAKT, RACA SHQIPTARE QË RREH GRATË, VRET BABAIN DHE NËNËN DHE SHUMË MASKARALLËQE TË TJERA, JANË TË PËRKRYER. SHAJNË TË GJITHË ATA QË JANË TË SHARË. NJERIUN E KRIJOI ZOTI E ASKUSH NUK KA TË DREJTË TË SHAJË ASKËND. ME NGJYRË A PA NGJYRË, TË MËDHENJ E TË VEGJËL NE JEMI NJERËZIT E ZOTIT.”