Don Marjani zgjidhet njëzëri në krye të Bashkësisë Famullitare Walensee

Demokracia e drejtpërdrejtë, si formë e marrjes së vendimeve në Zvicër, ashtu sikurse në të gjitha fushat, vlen edhe në atë të religjionit. Kështu, edhe zgjedhja e famullitarit ose priftit në krye të famullisë bëhet tradiconalisht nga komuniteti i kishës në famullinë përkatëse.

Fundjavën që lamë pas, bashkësitë kishtare katolike në njësinë famullitare të regjionit Walensee (Kantoni St. Gallen) kanë bërë zgjedhjen e famullitarit të tyre. Këtë njësi e përbëjnë famullitë e qytetit Walenstadt dhe të fshatarve: Mosl, Murg, Quarten, Tscherlach, Berschis dhe Flums, shkruan gazeta Sarganserland.

246 persona kanë marrë pjesë në votimet e mbajtura të pesë asambleve të kishave përkatëse. Kjo pasqyron një përqindje nga 3 deri 10% në varësi nga komuna ku janë mbajtur votimet, transmeton albinfo.ch .

Rezultati i këtyre votimeve është zgjedhja praktikisht e njëzëshme e Don Marjan Markut për famullitar të ri të kësaj njësie të madhe kishtare. Vetëm në dy komuna ishte nga një votë e përmbajtur, të gjitha të tjerat ishin në favor të tij.

Don Marjani bëhet kështu shqiptari i parë i zgjedhur në krye të një bashkësie famullitare të Zvicrës dhe gjithsesi, prifti i parë shqiptar në përgjithësi i zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo e fundit, për faktin se një mënyrë e tillë zgjedhjeje praktikohet vetëm në Zvicër.

Kryesia e shoqatës së njësisë famullitare duke i uruar për zgjedhjen, i dëshiron mirëseardhje famullitarit të ri në Walensee.

Sikurse edhe pararendësi i tuij në këtë post, Emil Hobi, edhe Don Marjan Marku do ta ketë banesën e tij në shtëpinë e famullisë, në Murg. Ndërsa fillimi i ushtrimit të detyrës për priftin shqiptar do të jetë në të dielën e parë të Adventit, në kohën para Krishtlindjeve.

Pas disa vitesh të kaluara si kapelan në një ipeshkvi, është e zakonshme që një prift të marrë përgjegjësitë e famullitarit. Kështu, Don Marjani do të marrë ato në bashkësinë e përmendur, me seli në Walensee.

Don Marjan Marku është personalitet i njohur për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe veprimtaria e tij i kalon kufijtë fetarë, shkruan albinfo.ch., e cila ka mbuluar shumë nga aktivitetet e tij. Nga viti 1999, kur dhe ka marrë drejtimin e Misionit Katolik Shqiptar të Zvicrës, ai është shumë i pranishëm në aktivitetet e ndryshme kulturore, shoqërore e fetare në këtë vend. Disa vite më parë ai qe transferuar në Kosovë ku kishte udhëhequr Famullinë në fshatin Velezhë të Prizrenit. Pastaj, me kërkesën e Ipeshkvisë së St.Gallenit, gjegjësisht ipeshkvit Markus Büchel, ai është kthyer në Zvicër, ku, në shtator të vitit 2012 është emëruar si kapelan në njësinë famullitare Unterer Toggenburg.

Marku është i lindur në fshatin Binçë, Komuna e Vitisë, në vitin 1963. Pasi ka mbaruar studimet për teologji dhe filozofi, ka nisur punën si prift në disa regjione të Kosovës ndërsa më vonë ka vazhduar misionin e tij prej meshtari edhe në Austri dhe në Zvicër.